KRU ‘Prishtina’ zgjat orarin e punës për pagesa të shërbimeve
Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’, përkatësisht Departamenti për Konsumatorë njofton të gjithë konsumatorët në qytetin e Prishtinës se duke filluar nga dita e mërkure, 18 korrik 2018 dhe duke vazhduar deri me 1 shtator 2018, do e zgjasë orarin e punës në pikat e shitjes, arkat për pagesa të shërbimeve edhe për dy orë të tjera.
Kështu që orari i punës nga dita e hënë deri të premten do të jetë nga ora 08:00-18:00, ndërsa ditën e shtunë do të punohet nga ora 09:00-16:00. “Arsyeja e zgjatjes së orarit të punës në këtë departament është ofrimi i shërbimeve cilësore për bashkatdhetarët tanë, derisa janë duke pushuar në Republikën e Kosovës. Diaspora përbën një element shumë të rëndësishëm në Republikën e Kosovës dhe kjo për shumë arsye, ekonomike, sociale dhe kulturore, duke u fokusuar në rolin e saj kontributdhënës që nga vitet e ’60-ta e deri në ditët e sotme të lirisë”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.
Në fund, KRU ‘Prishtina’ fton secilin konsumator që të jenë sa më të rregullt në kryerjen e obligimeve financiare, sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’u shmangen ndëshkimeve të kompanisë, gjegjësisht shkyçjes nga shërbimet.
/Epoka e re/