KRUMA – QYTETI I ISH-PREFEKTURËS SË KOSOVËS, I BAJRAM CURRIT E I PJETËR BOGDANIT

30 tetor 2023 | 17:05

Shkruan: Berat Luzha

Hasi, i njohur edhe si Hasi i Thatë, është krahinë etnografike që shtrihet mes Lumës dhe Malësisë së Gjakovës, apo që e rrethon nga tri anë malin e Pashtrikut (1989 m).

Siç është ndarë Atdheu në disa pjesë, edhe Hasi është ndarë përgjysmë, në dy shtete; në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës (dikur të Serbisë e të Jugosllavisë). Që nga viti 1913 në Hasin brenda kufirit të R. së Shqipërisë është krijuar njësia e veçantë administrative, që ka 32 fshatra, me kryeqendër Krumën. Derisa në Republikën e Kosovës Hasi ka 38 fshatra, prej të cilave 22 i përkasin komunës së Gjakovës dhe 16 komunës së Prizerenit.

Qyteti i Krumës, si një amfiteatër natyror, ndodhet në Gropën e Krumës, në një pllajë me terren kodrinor në lartësi mbidetare 450 metra. Shtrihet në rrëzë të malit të Pashtrikut, te Bjeshka e Krumës, aty ku uji, që del nga burimi i madh, zbret drejt qytetit, duke krijuar lumin e Krumës, që vrapon teposhtë për t’u bashkuar me Drinin në Liqenin e Fierzës. Kruma është bërë qendër e krahinës së Hasit që nga viti 1913, ndërsa në vitin 1972 është shpallur qytet. Në këtë qytetin e Krumës mund të shkohet nga tri drejtime; nga Kukësi (29 km), nga Gjakova (29 km) dhe nga Bajram Curri (67km). Kruma, me rreth 5000 banorë, është qendër e bashkisë së Hasit, njëkohësisht edhe qendër e rrethit të Hasit.

Në territorin e Hasit, në të dy anët e vijës kufitare, ka shumë tuma ilire, vendbanime shpellore dhe vendbanime të fortifikuara të pa hulumtuara. Në vendbanimin e Krumës janë hulumtuar tetë tuma (kodërvarre), ku janë gjetur armë, thika bronzi, stoli, copa të qeramikës, mjete metalike nga shek. XII – VIII p.e.r. Një fortifikim i hershëm ndodhet në Gradisht të Krumës, që osmanët e quanin Hisarllik apo kështjella e Hisarit. Tërë Hasi i përkiste Dardanisë së lashtë ilire. Ndër luftërat në këtë trevë veçohet lufta e vitit 1837 kundër reformave të Tanzimatit, kur Hasi u shkëput përkohësisht nga administrata osmane në Gjakovë.

Gjatë pushtimit austro-hungarez, në vitet 1914 – 1918, Kruma ishte qendër administrative e një territori të gjerë, që nga Zhuri deri në Gjakovë, ku ishin të vendosura të gjitha institucionet e duhura vendore. Ndërsa, nga viti 1921 deri në vitin 1925, me mbështetjen e Bajram Currit, Kruma ishte bërë qendër e Prefekturës së Kosovës, që përfshinte Lumën, Hasin dhe Malësinë e Gjakovës. Të theksojmë se Revolucioni Demokratik – Borgjez i qershorit, në krye me Fan Nolin, ka filluar në Krumë kur, më 24 maj 1924, Bajram Curri i ka sulmuar forcat qeveritare.

Shkolla e parë shqipe në Krumë është hapur në vitin 1921 me ndihmën e tribunit popullor, Bajram Currit. Mes dy luftërave botërore në Krumë ishte hapur një konvikt, i quajtur “Kosova, ku ishin strehuar qindra nxënës të ardhur nga Kosova, kryesisht nga Gjakova. Sot Kruma ka dy shkolla të mesme, në Krumë dhe në Golaj, një shkollë fillore dhe një konvikt për 125 nxënës.

Krahina etnografike e Hasit dallohet nga viset tjera për veshjen karakteristike hasjane, veçanërisht për veshjen e grave.

Në rrethin e Hasit ndodhen shumë burime nëntokësore mineralesh, kryesisht të mineraleve të kromit, të bakrit dhe të hekur-nikelit, të cilat kanë filluar të shfrytëzohen nga italianët që nga vitet 30-ta të shekullit të kaluar. Dikur në Golaj ka funksionuar fabrika për pasurimin e bakrit dhe disa miniera të vogla, që punësonin rreth 3000 punëtorë. Sot në fshatin Perollaj ndodhet fabrika e pasurimit apo e koncentratit të kromit.

Hasi ka sipërfaqe të mëdha të pyjeve e kullotave, të tokës së punueshme e livadheve. Popullsia e Hasit është marrë me bujqësi e blegtori, me kultivimin e pemëve, bletari e vreshtari. Kultivohet patatja, gruri, misri dhe kultura tjera bujqësore. Veçanërisht, ka kushte ideale për zhvillimin e blegtorisë, sepse është terren i përshtatshëm fshatar. Rrjeti i pasur i rrjedhave lumore, i përbërë nga përrenj të vegjël, zbret rrëmbyeshëm nga malet. Në periudhën kohore 1945 – 1990 në Has është ndërtuar edhe një rrjet me 24 rezervuarë të ujit, që ujitnin 23 për qind të tokës bujqësore. Në vitin 1969 Kruma bëhet me stacion meteorologjik.   

Plaga më e madhe e Krumës, këto 30 vjetët e fundit, padyshim është shpërngulja e popullsisë brenda vendit, nëpër qytete të mëdha dhe sidomos jashtë vendit, kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar. Kështu, shkollat në bashkinë e Krumës po mbyllen njëra pas tjetrës për mungesë të nxënësve, kurse të rinjtë, madje edhe adoleshentët, po emigrojnë, duke e kaluar La Manshin me barka, duke qenë të trafikuar dhe të rrezikuar për jetën. Pothuaj çdo familje e bashkisë së Krumës ka dikë në Londër apo në Mbretërinë e Bashkuar. Gazeta britanike “The Telegraph” ka shkruar se “shkollat janë detyruar të mbyllen, janë zbrazur nga të rinjtë që emigrojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar për t’iu bashkuar bandave shqiptare të trafikimit”.     

Projekti i Rilindjes Urbane ka dhënë rezultate, sikur e ka rilindur qytetin, për të marrë Kruma një pamje më të bukur. Janë shtruar rrugët, janë rregulluar terrenet publike, janë suvatuar pallatet, janë hapur lokale të reja hoteliere e turistike, është ndërtuar infrastruktura. Qendrën e Krumës e stolisin bustet e tribunit popullor, Bajram Curri dhe shtatorja e njeriut të kulturës, të artit e të letërsisë së vjetër shqiptare, atdhetarit nga Guri i Hasit, Pjetër Bogdani. Ndërsa sheshi kryesor i qytetit mbanë emrin e heroit të UÇK-së, Luan Haradinaj.

Duke qenë se Bashkia e Krumës është në kufi me R. e Kosovës, banorët e kësaj zone kalojnë kufirin për t’u punësuar, për t’u shkolluar, për t’u shëruar apo për të tregtuar në Gjakovë e vende tjera. Me komunën e Gjakovës dhe me Republikën e Kosovës ata mbajnë lidhje familjare, por edhe historike, kulturore, ekonomike etj.

Kruma, me fshatrat e bashkisë së saj, ka dhënë kontribut të çmuar në luftën çlirimtare të Kosovës. Në vitin 1999 në Hasin e R. e Shqipërisë kishte më shumë popullsi të dëbuar nga Kosova se sa popullsi vendore. Rreth 5000 familje me 23 mijë banorë të dëbuar nga Kosova kishin gjetur strehë në Has. Gjithashtu, në Krumë dhe në fshatrat e Hasit ka zhvilluar veprimtari përgatitore luftarake e logjistike Ushtria Çlirimtare e Kosovës.       

Hasi, në përgjithësi dhe Kruma, në veçanti, me pozicionin gjeografik, me vlerat e natyrës së paprekur dhe të trashëgimisë kulturore e historike, ka mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit, sidomos të turizmit malor. Edhe Liqeni i Fierzës në territorin e bashkisë së Krumës paraqet mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit dhe të peshkimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i…