Kryebashkiaku i Lviv-it kërkon ndihmë: Mezi po ushqejmë e strehojmë 200 mijë qytetarë të zhvendosur
Kryetari i bashkisë së Lviv është shprehur të martën se qyteti, i vendosur në Ukrainën perëndimore, e ka thuajse të pamundur që të sigurojë ushqim dhe strehim për rreth 200,000 ukrainas të zhvendosur nga pjesët e vendit të shkatërruara nga lufta.
“Rreth 200,000 ukrainas kanë mbërritur tashmë në Lviv. Gra, fëmijë, të moshuar, të fshehur nga bombardimet, u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Ne i akomodojmë të gjithë duke ofruar ushqim dhe gjithçka të nevojshme. Por trenat vijojnë të vinë dhe numrat po rriten”, tha Andriy Sadovyi në një viedo-mesazh.
Ai u kërkoi organizatave ndërkombëtare të ofrojnë ndihmë “në Lviv, në Ukrainë”.
“Ne kemi nevojë për qendra të lëvizshme për qëndrim të përkohshëm me banja të pajisura dhe pika ushqimore. Mbështetje mjekësore dhe psikologjike, ilaçe, jelekë antiplumb dhe helmeta. Spitale të lëvizshme për fëmijë dhe të rritur,” tha ai.
Në një deklaratë të bërë të hënën, Sadovyi u shpreh se qyteti po arrinte kufirin e kapacitetit të tij.
Rreth 440 objekte kulturore dhe arsimore në Lviv po përdoren për të strehuar personat e zhvendosur, së bashku me 85 ndërtesa fetare.