Kryebashkiaku i Stambollit, Imamoglu: Erdogani s’do ta fitojë garën e ardhshme presidenciale

26 prill 2022 | 23:40

Kryebashkiaku popullor i Stambollit, Ekrem Imamoglu, nga Partia Republikane Popullore, CHP, opozita kryesore e Turqisë, tha për BIRN gjatë vizitës së tij në Sarajevë se ditët e Rexhep Tajip Erdoganit janë të numëruara.

Ne do të kemi zgjedhjet e përgjithshme vitin e ardhshëm në Turqi dhe presidenti Erdogan do t’i humbasë zgjedhjet, ashtu siç humbi në Stamboll. Ata do të humbasin, por Turqia do të fitojë”, tha Imamoglu.

Duke komentuar politikën turke, Imamoglu tha se nisma e opozitës, e udhëhequr nga Partia e Republikane Popullore, CHP, për të krijuar një bllok të bashkuar në zgjedhjet e ardhshme kundër aleancës politike të Erdoganit, është e një rëndësie të madhe.

Shumë vëzhgues thonë se Imamoglu është bërë një nga politikanët më të njohur në Turqi që nga fitimi i zgjedhjeve të Stambollit në vitin 2019 dhe do të ishte një rival serioz i Erdoganit në garën e ardhshme presidenciale.

Sipas sondazheve, Imamoglu do të mundte Erdoganin, popullariteti i të cilit ka rënë si pasojë e një sërë krizash politike dhe ndërkombëtare dhe kryesisht për shkak të krizës së rëndë ekonomike.

Ai është i kujdesshëm në lidhje me perspektivat e tij. “Partitë opozitare do të punojnë në mënyrë shumë selektive për të vendosur kandidatin më të mirë presidencial”, tha Imamoglu.

I pyetur nëse do ta pranonte kandidimin për president, Imamoglu nuk tha po – por i mbajti dyert hapur.

“Besoj se kur të vijë dita, gjashtë partitë opozitare do të bëjnë zgjedhjen më të mirë. Për momentin, këtë nuk e kam në axhendën time. Axhenda ime e vetme është Stambolli”, tha ai.

I shmangur në vizitën e tij të mëparshme

Kryebashkiaku po vizitonte kryeqytetin e Bosnjës të hënën si i ftuar i Komunës së Sarajevës. Vizita përfshiu një sërë takimesh dhe një darkë të madhe Ramazani, ku ishin më shumë se 200 njerëz, duke përfshirë politikanë, ambasadorë, akademikë dhe kryetarë bashkish nga Bosnja, por edhe nga Serbia dhe Mali i Zi. 

Në vitin 2019, Imamoglu u anashkalua nga liderët boshnjakë, të cilët druheshin se do të zemëronin qeverinë e presidentit Erdogan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kastriot Dervishi Xhemë Bërdyna, nxënës i klasës të 8-të të…