Kryebashkiaku Veliaj takon ministrin Matoshi, flasin për mbrojtjen e mjedisit
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Shqipëri, është pritur në takim edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me të cilin kanë diskutuar mbi përvojat më të mira për mbrojtjen e mjedisit.
Me këtë rast, Matoshi ka përgëzuar kryetarin Veliaj për idetë dhe projektet që ka implementuar në shërbim të krijimit të një mjedisi të pastër.
Ai ka thënë se mjedisi dhe mbrojta e tij është prioritet dhe kështu së bashku duhet të kontribuojmë për një mjedis të pastër në Kosovë e Shqipëri.
Ministri Matoshi ka prezantuar edhe fushatën tre mujore për pastrimin e Kosovës, të cilën kryetari Veliaj e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm në vetëdijesimin e qytetarëve për kujdesin që duhet të kenë për mjedisin.
Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka folur për masat që ai është duke marrë në fushën e mbrojtjes se mjedisit duke përfshirë lehtësirat për veturat elektrike, ndërtimin e stacioneve për mbushjen e tyre, largimin nga përdorimi i qeseve plastike etj.
Ai ka vlerësuar vendimin e Qeverisë së Republikës se Kosovës për ndalimin e importimit të veturave më të vjetra se 10 vjet.
Sipas Veliajt, ky vendim duhet të vazhdojë pasi që kështu i kontribuon krijimit të një mjedisi më të pastër.
Gjatë vizitës në Tiranë ministri Matoshi ka marrë pjesë dhe në një aksion të pastrimit të organizuar nga iniciativa e të rinjve “Shqipëria Ndryshe”, me ç’rast ka vlerësuar se iniciativat e tilla tregojnë përkushtimin e gjeneratave të reja për një mjedis të pastër.
/Epoka e re/