Kryediplomati britanik: Jemi duke investuar në shtetet që kanë nevojë për stabilitet, siç është Kosova

06 mars 2024 | 13:47

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, ka mbushur plot 113 ditë pune në këtë pozitë, ku përmes një video ka përmbledhur disa nga takimet që ai ka pasur.

Në një video të publikuar në platformën “X”, Cameroni ka bërë me dije se ka realizuar 36 vizita të ndryshme në 26 shtete.

Në videon e publikuar, ai ka përmendur edhe Kosovën dhe vizitën që kishte në janar të këtij viti.

“Kam vizituar dhe Ballkanin ku ne jemi duke investuar në shtetet që kanë nevojë për stabilitet, siç është Kosova”, ka thënë kryediplomati britanik.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron në fillim të vitit vizitoi Kosovën. Gjatë qëndrimit në Kosovë, Cameron është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe me kryeministrin Albin Kurti.

Diplomati britanik, po ashtu, ka thënë se shteti i tij do ta ndihmojë Kosovën në sferën e njohjeve.

Cameroni ka thënë se në Kosovë, vitin që shkoi, ishin 600 trupa britanike në kuadër të misionit të KFOR-it. Britania e Madhe, po ashtu, trajnon pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kryediplomati britanik ka thënë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur që ka nevojë për stabilitet, siguri dhe të ardhme dhe se Mbretëria e Bashkuar po e ndihmon me të gjitha këto.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkodra do të jetë pikëtakimi i kryeministrit shqiptar, Edi Rama,…