Kryediplomati francez deklarohet kundër programit raketor të Iranit
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, ka deklaruar se Irani duhet të adresojë shqetësimet për programin e raketave balistike, në të kundërtën rrezikon të përballet me sanksione të reja.
Këto komente ai i ka bërë pak kohë para vizitës së tij në Teheran, të planifikuar për 5 mars.
“Ato janë programe të raketave balistike të cilat kanë kapacitet të arrijnë disa mijëra kilometra dhe nuk janë në përputhshmëri me rezolutat e Kombeve të Bashkuara, por edhe tejkalojnë nevojën e mbrojtjes së kufijëve të Iranit”, ka thënë Le Drian për gazetën, “Journal du Dimanche|.
“Nëse nuk do të merren masa, shteti rrezikon sanksione të reja”, ka thënë ai.
Zyrtarët iranianë vazhdimisht kanë përsëritur faktin se programi i raketave të shtetit është aty për qëllime të mbrojtjes dhe nuk është i negociueshëm.
Le Drian ka thënë muajin e kaluar se programi i raketave të Iranit dhe përfshirja në konflikte rajonale duhet të zgjidhjen nëse shteti “dëshiron të kthehet në familjen e kombeve”.
Deklarata e tij është kritikuar më 3 mars nga Ali Akbar Velayati, këshilltar për politikë të Jashtme i liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.
“Programi i mbrojtjes i Iranit nuk është shqetësim për shtetet si Franca, të cilat mund të vijnë e të na tregojnë se çfarë raketa mund të kemi ne. A i tregojmë ne Francës si duhet ta mbrojë veten?”, i ka thënë Velayati, agjencisë së lajmeve “ISNA”.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Iranit, ka thënë sot, se gjatë vizitës së tij dy-ditore në Teheran, Le Diran pritet të takohet me presidentin Hassan Rohani dhe ministrin e Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, për të diskutuar “çështjet bilaterale, rajonale dhe ndërkombëtare”.
Ata pritet të diskutojnë edhe zbatimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, që ka nënshkruar Irani me fuqitë botërore.
Mediet iraniane kanë raportuar se udhëtimi i Le Drian do të rregullojë terrenin për një vizitë të presidentit francez, Emmanuel Macron në Iran.