Kryediplomati gjerman kërkon nga BE-ja heqjen e vizave për Kosovën
Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Mass, ka folur të martën për perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Republikën e Kosovës.
Massi ka thënë se mesazhi gjerman është i qartë sa i përket dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do ta rriste vetëm stabilitetin rajonal por do të hapte gjithashtu edhe rrugën për perspektivat e të dy vendeve për Bashkimin Evropian”, ka thënë Massi në një konferencë për media.
Ai ka kërkuar që Kosovës t’i hiqen vizat nga ana e Bashkimit Evropian (BE). “Bashkimi Evropian duhet përfundimisht që t’ia japë Kosovës liberalizimin e vizave, vendit të vetëm që vazhdon të jetë i përjashtuar nga e drejta për udhëtim në Evropë”, ka theksuar Massi, duke bërë thirrje për bashkëpunim rajonal dhe pajtim.
“Të gjithë njerëzit në Evropë mbajnë barrë historike. Por historia nuk duhet të jetë një pengesë në formimin e një të ardhmeje të përbashkët”, është shprehur krydiplomati gjerman.
Massi ka thënë se përkrahin punën që po bëhet nga Josep Borell dhe Miroslav Lajcak në kuadër të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.