Kryediplomati gjerman përmend rihapjen e marrëveshjes për Brexitin
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Mass, ka thënë se duhet të ketë diskutim nëse duhet rihapur draftin e marrëveshjes për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian, mirëpo vetëm nëse pajtohen të gjitha palët, transmeton Reuters.
Massi i ka thënë transmetuesit publik “ZDF” të enjten se ai ka folur me ministrin e Jashtëm të Britanisë, pasi siç ka thënë ai, këtë javë është bërë e qartë se Dhoma e Ulët e Parlamentit britanik nuk përkrah idenë e Brexitit pa marrëveshje.
Massi ka thënë se është “vështirë e imagjinueshme” ideja që marrëveshja për Brexit të rikonsiderohet.
“Pra pyetja është se si do të duket marrëveshja”, ka thënë ai për transmetuesin gjerman, “ZDF”.
“Në fund gjithçka ka të bëjë me pyetjen nëse duhet rihapur marrëveshja, e cila kërkon miratimin e 27 vendeve anëtare, që nënkupton se të gjithë duhet të bashkohen. Kjo është ajo për të cilën duhet diskutuar tani”, ka thënë ai.
“Britanikët deri më tani kanë treguar gjithmonë çfarë nuk duan. Tani ata duhet të tregojnë çfarë dëshirojnë”, ka shtuar Maasi.
Të mërkurën, kancelarja gjermane, Angela Merkel u ka thënë ligjvënësve se për të “është e qartë se nuk mund të ketë rinegociata”, kanë bërë të ditur dy pjesëmarrës në një takim me dyer të mbyllura.