Kryediplomati grek për njohjen e Kosovës: S’jemi pro krijimit të “vrimës së zezë”
Ministri i Punëve të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, ka deklaruar se shteti i tij nuk e ka ndryshuar qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës.
Në një intervistë për gazetën “Real News”, ai ka deklaruar se Greqia nuk është pro krijimit të “vrimës së zezë”.
“Integrimi i Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane (Bashkimin Evropian), përbën një çështje prioritare, pasi stabiliteti në rajon ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e vendit tonë. Nuk jemi pro krijimit të ‘vrimës së zezë’ në veriun tonë. Edhe pse nuk ka ndryshuar pozicionimi ynë në lidhje me statutin e Kosovës, mbajmë një qëndrim konstruktiv dhe mbështesim dialogun mes Prishtinës e Beogradit”, ka thënë ai.
Kryediplomati grek ka përmendur edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, i cili ka vlerësuar se shpallja e Pavarësisë së Kosovë nuk përbën shkelje të së Drejtësisë Ndërkombëtare.
“Lidhur me ligjshmërinë e një njohje të mundshme, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës rezultoi në vitin 2010 se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk përbën shkelje të së Drejtës Ndërkombëtare, pasi nuk ishte produkt i përdorimit të dhunës së paligjshme të dënuar nga Këshilli i Sigurisë, siç ishte shpallja e pseudoshtetit (Qipro) në vitin 1983. Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë u themeluan mjaft shtete të reja, asnjë prej të cilëve nuk ishte rezultat i një sulmi të jashtëm”, ka vlerësuar Dendias.