Kryediplomati i Austrisë: Duam hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE
Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg ishte sot për një vizitë zyrtare në Tiranë, ku është takuar me homologun e tij shqiptar, Gent Cakaj, me të cilin ka mbajtur edhe një konferencë të përbashkët për medie.
Pasi ka konfirmuar qëndrimin e qartë të Austrisë për hapjen e negociatave me Shqipërinë, Schallenberg ka thënë se azilkërkuesit shqiptarë vijojnë të jenë një problem për Francën.
“Qëndrimi i Austrisë është shumë i qartë, ne duam të hapet dritat jeshile për negociatat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Situata e azilkërkuesve shqiptarë vazhdon, ne jemi në dijeni. Është një situatë që e prek më pak Autrinë sesa shtetet e tjera anëtare. Është një tipar i përsëritur në diskutimet me kolegët francezë”, ka thënë ai.
Ndërsa ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, ka theksuar se “Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet për të filluar hapjen e negociatave për anëtarësim”.
Ai ka thënë se Qeveria është “në një përpjekje intensive për të siguruar votat pro”.
“Nuk kam frikë nga votat kundër, por jam i angazhuar për të siguruar votat pro”, u shpreh Cakaj.
Vendimi për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë do të merret më 18 tetor, në samitin e Këshillit Evropian.