Kryediplomati i BE-së viziton këtë javë Kosovën dhe Serbinë
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë në fund të javës, ka konfirmuar zëdhënësi i tij, Peter Stano.
Stano ka thënë se Borrelli së pari do të shkojë në Prishtinë e pastaj në Beograd dhe se do të bëjë përpjekje për vazhdimin e dialogut midis dy vendeve.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve është ndërprerë qysh në fund të vitit 2018, kur Kosova u ka vënë taksë 100 për qind prodhimeve të importuara nga Serbia.
Të hënën, Borrelli ka qëndruar në Berlin, ku ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë gjermanë.
Në BE, megjithatë, kanë thënë se ai nuk ka planifikuar ndonjë takim me ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i cili është duke punuar si i dërguar i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi. /Rel/