Kryediplomati i Spanjës: Rasti i Kosovës dhe Katalonisë nuk është i krahasueshëm
Ministri i Jashtëm i Spanjës, Josep Borel, ka deklaruar në Beograd se rasti i Kosovës dhe ai i Katalonisë nuk është i krahasueshëm sepse siç ka thënë ai, të dyja situatat nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.
“Këto dy situata nuk kanë të bëjnë fare me njëra-tjetrën. Ajo që ndodhi në Kosovë nuk ka të bëjë fare me gjendjen e Katalonisë”, ka thënë Boreli, i pyetur nga “Radio Evropa e Lirë” nëse është çështja e Katalonisë arsye pse Spanja nuk e njeh Kosovën.
Pas bisedimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq, shefi i diplomacisë spanjolle, ka thënë se vendi i tij, kundërshton pavarësinë e Kosovës por edhe kërkon zgjidhje kompromisi në kuadër të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.
“I përsëritëm presidentit dhe ministrit të Jashtëm qëndrimin e Spanjës për mospranimin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë mendojmë se vetëm përmes dialogut mund të vije deri te një zgjidhje e kompromisit në këtë çështje”, ka thënë Boreli në një konferencë për medie.
Nga kabineti i presidentit Vuçiq është njoftuar se gjatë takimit ai ka thënë se Serbia sillet me përgjegjësi sepse ka përmbushur të gjitha obligimet nga marrëveshjet e Brukselit.
“Prishtina në ndërkohë me platformën e dialogut ka treguar se është kundër dialogut” ka thënë Vuçiqi.
Në njoftim është thënë se Boreli, i cili po qëndron për vizitë në Serbi, ka thënë se njohja e Kosovës është e papranueshme pasi “është kundër të drejtës ndërkombëtare”.