Kryediplomati: Kemi garanci nga emisarët për formimin e asociacionit

15 shkurt 2022 | 12:15

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, ka thënë sot se Serbia “nuk do të rrijë duarkryq” nëse Kosova fillon të sigurojë njohje të reja.

Ai ka kërcënuar me “ndryshimin e sjelljes” në rast se Kosova do të njihet edhe nga shtete të tjera.

“Nëse dikush mendon se në atë mënyrë do të na shtyjnë pas murit, na e kthen dorën për të rënë dakord për diçka, duhet ta dijë se edhe ne mund të ndryshojmë mënyrën e sjelljes”, ka thënë ai në një intervistë për “Veçernje Novosti”.

Selakoviqi ka thënë se nuk ka presion mbi Serbinë lidhur me raportet me Kosovën dhe situatën me Republika Srpskan në Bosnjë, por parashikon që situata të komplikohet për ta këtë vit.

Për dallim prej përfaqësuesve të lartë në Bashkimin Evropian, Selakoviqi ka thënë se Serbisë nuk i kërkohet njohja e Kosovës për t’u bërë anëtare e BE-së.

“Detyrimi ynë është i qartë, në momentin që do të bëhemi anëtare e BE-së, atëherë duhet të koordinojmë politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë”, ka thënë ai.

Selakoviqi ka thënë se kanë marrë garanci “të forta” nga emisarët e ShBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak se do të ndikojnë që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“E vetmja gjë që mund të diskutohet është zbatimi i marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë ai, duke shtuar se ka marrë “garancitë më të forta” nga Lajçak dhe Escobar se BE-ja dhe ShBA-ja do të ndikojnë në Kosovë për zbatimin e marrëveshjes dhe formimin e asociacionit.

Ai ka folur edhe për emërimin e ambasadorit të ri të ShBA-së, Christopher Hill, i cili pritet të mbërrijë shpejt në Beograd.

“Është gjithashtu e rëndësishme që sot padyshim ka diçka që nuk ka ekzistuar në vitet 1990 dhe kjo është rruga e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Selakoviqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
6 gola në Premier Ligë, 8 në total me fanellën…