Kryediplomati kroat: Liberalizimi i vizave për Kosovën është një hap i madh përpara
Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grlic Radman, ka thënë se liberalizmi i vizave për Kosovën është një hap i madh përpara.
Ai ka thënë se zgjerimi është prioritet i Bashkimit Evropian. Këto komente, kryediplomati kroat i ka bërë në një takim me ministrat e Jashtëm të BE-së në krye me Josep Borrell, shef i diplomacisë evropiane.
“Pasdite do të takohemi me kolegët nga Ballkani Perëndimor për t’u treguar gatishmërinë dhe vendosmërinë për rajonin. Zgjerimi është ende prioritet i BE-së, por për ta bërë tregim suksesi, çelësi është tek përmbushja e kritereve, implementimi i reformave të nevojshme dhe rreshtimi me vlerat dhe standardet e BE-së. Marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal mbesin esenciale. Shpresojmë të shohim progres deri në fund të vitit ose vitin e ardhshëm, në veçanti kur bëhet fjalë për hapjen e negociatave për anëtarësim me Bosnjë e Hercegovinën dhe hapjen e kapitullit të parë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe gjithashtu, i shumëprituri liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës prej janarit 2024 është një hap i madh përpara”, ka thënë Grlic Radman.