Kryediplomati malazez: Dorëheqja e Haradinajt sjellë më shumë hapësirë për Thaçin e Vuçiqin në negociata
Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srdan Darmanoviq, ka thënë se dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj mund t’i japë presidentit Hashim Thaçit dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiqit më shumë hapësirë për negociata.
Srdan Darmanoviq duke folur për “Zërin e Amerikës” është shprehur se udhëheqja e dialogut Kosovë-Serbi në nivel presidentësh, mund të sjellë ndikim në skenarin e ri të dialogut në Bruksel.
”Dorëheqja e Ramush Haradinajt si kryeministër i Qeverisë së Kosovës mund të lejojë dy negociatorë kryesorë në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës. Presidentët, ai i Kosovës dhe ai i Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq, mund të sigurojnë më shumë hapësirë për negociatat”, ka thënë ai.
Megjithatë, Darmanoviqi është shprehur se e ardhmja në këtë drejtim do të varet nga Kuvendi i Kosovës dhe nga politikanët kryesorë në vend.
“Sigurisht, Ramush Haradinaj ishte një pjesëmarrës i shquar në zgjidhjen e problemeve dhe marrëdhënieve të serbëve të Kosovës dhe kishte pikëpamjet e tij për këtë. Ata kuptohen dhe interpretohen ndryshe: dikush i kuptoi ato si një pengesë dhe dikush si person parimor”, ka thënë Darmanoviqi.