Kryediplomati malazez: Mandiç s’e përfaqësoi Malin e Zi në selinë e partisë së Vuçiqit
Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Filip Ivanoviç, ka thënë se Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiç, në selinë e Partisë Progresive Serbe (SNS) – partia e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç – në momentin kur kjo parti po shpallte fitoren në zgjedhjet e 17 dhjetorit, ishte si përfaqësues i partisë së tij dhe jo si zyrtar i shtetit malazez.
“Mandiç ka qëndruar në selinë e Vuçiç-it si kryetar i partisë së tij, nuk ka qëndruar si përfaqësues i shtetit të Malit të Zi. Qeveria që u formua me një shumicë të konsiderueshme në parlament u formua mbi bazën e një marrëveshjeje të qartë dhe precize koalicioni të nënshkruar nga të gjithë përbërësit e asaj mazhorance”, ka thënë Ivanoviç, transmeton media malazeze “CaffedelMontenegro”.
“Dhe qeveria udhëhiqet nga ajo marrëveshje e koalicionit, por edhe nga ekspozimi i programit të punës së qeverisë që e prezantoi kryeministri [Milojko Spajiç], në bazë të të cilit ai mori aq shumë mbështetje në parlament”.
Siç tha ai, prioritetet e asaj qeverie dhe asaj marrëveshjeje koalicioni janë numër një – anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
“Dhe në këtë kuptim, ne jemi absolutisht të përkushtuar ndaj këtij qëllimi dhe arritjes së tij. Tashmë kemi bërë njëfarë progresi në domenin e shtetit të së drejtës, pra progres në kapitujt 23 dhe 24. Gjithashtu, ajo që dua të theksoj dhe ajo që është deklaruar në programin e punës së qeverisë, është 100% e harmonizuar me atë të përbashkët, politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian”.
“Kështu do të mbetet. Shtylla e dytë e politikës sonë të jashtme është anëtarësimi aktiv dhe i besueshëm në NATO, duke marrë pjesë në projektet dhe programet dhe politikat e saj që NATO ka. Shtylla e tretë janë marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal…”.
“Pra, meqë Qeveria zhvillon politikën e brendshme dhe të jashtme, prioritetet e politikës së jashtme, të cilat sapo ju radhita, janë ashtu siç janë. Pikërisht për këtë kanë marrë përkrahje në Kuvend dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për të, kështu që nuk shoh asnjë mundësi për të penguar integrimin evropian të Malit të Zi dhe për të përmbushur prioritetet e reja që i kam renditur”, ka theksuar Ivanoviç.
Paraqitjen e Mandiç-it nga selia e SNS-së në Beograd e ka kritikuar edhe Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç.
Milatoviç ka deklaruar se Mandiç, nuk kishte vend në asnjë shtab zgjedhor në Serbi dhe se ky, sipas tij, është një mesazh i keq.
“E pashë mbrëmë. Mendoj se është çështje e përgjegjësisë personale dhe profesionale të zotit Mandiç. Mendoj se kryetari i Kuvendit të Malit të Zi mbrëmë nuk ka pasur vend në selinë zgjedhore të asnjë partie në Serbi, por gjithsesi, siç thashë, është çështje e përgjegjësisë profesionale dhe personale të zotit Mandiç”, ka thënë Millatoviç, transmeton media malazeze “CaffedelMontenegro”.
Kreu malazez ka shtuar se mesazhi “sigurisht nuk ishte i mirë”.
Ndryshe, në fjalimin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, ku shpalli fitoren në zgjedhjet parlamentare, komunale dhe krahinore, të dielën në Beograd, në selinë qendrore “Serbia nuk duhet të ndalet”, e udhëhequr nga Partia Progresive Serbe, kanë marrë pjesë edhe Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiç, si dhe Presidenti i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik.