Kryediplomati i Maqedonisë: Përkrahim Kosovën në të gjitha proceset
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikola Dimitrov.
Në këtë takim, Haradinaj ka thënë se Kosova dhe Maqedonia kanë marrëdhënie të mira bilaterale, si në aspektin ekonomik po ashtu edhe në atë politik dhe sipas tij ky është një shembull i mirë.
Kryeministri Haradinaj ka përshëndetur progresin në raportet mes shtetit të Maqedonisë dhe atij të Greqisë dhe ka vlerësuar se kjo do të ndikojë në një klimë më të mirë të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.
“Marrëveshja për emrin është një lajm i mirë për rajonin. E përgëzojmë Maqedoninë për këtë të arritur, që e promovon një frymë të re të bashkëpunimit ndërfqinjësor. Ne kemi nevojë për mbështetjen e Maqedonisë nëpër proceset integruese të Kosovës dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, siç do të ofrojmë mbështetjen tonë për proceset ndërkombëtare të shtetit fqinjë”, ka thënë Haradinaj.
Gjatë këtij takimi është biseduar edhe rreth rëndësisë së zhvillimit ekonomik dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe për projektet konkrete siç është autostrada që lidh Kosovën me Maqedoninë dhe pikë kalimet kufitare, të cilat do të lehtësonin lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave.
Haradinaj ka theksuar se Kosova dhe Maqedonia ndajnë aspiratat e njëjta për anëtarësim në BE dhe në NATO, duke thënë se e ardhmja e gjithë Ballkanit Perëndimor është në NATO dhe në BE.
Ndërsa, ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Dimitrov, fillimisht ka përgëzuar kryeministrin Haradinaj për rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian, duke vlerësuar të arriturat e Kosovës në të gjitha fushat.
Ai ka thënë se Maqedonia vazhdon të jetë përkrahëse e të gjitha proceseve të shtetndërtimit të Kosovës.
Në takim, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli dhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj.
/Epoka e re/