Kryediplomati shqiptar: Jo më rezerva e vonesa për Ballkanin Perëndimor
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka marrë pjesë në takimin e Komitetit Parlamentar të Nismës së Evropës Qendrore (CEI), i cili është mbajtur në Tiranë, në kuadër të kryesisë së palës shqiptare.
Ministri Hasani ka vlerësuar punën e deritanishme të CEI në mbështetje të Ballkanit Perëndimor, teksa ka theksuar nevojën urgjente për përshpejtimin e procesit integrues të rajonit.
“Të shtyrë edhe nga rreziku real i influencës së drejtpërdrejtë ose hibride të faktorëve të tretë në rajon, gjykojmë se është koha që vendet anëtare të Bashkimit Evropian t’i kushtojnë vëmendjen e duhur dhe të angazhohen pa vonesë e pa rezerva kundrejt përshpejtimit të integrimit të Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm. I shprehim mirënjohjen tonë Hungarisë, e cila, sot më 1 korrik, merr kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian, duke përcaktuar si një prej prioriteteve të presidencës së saj zgjerimin e vonuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Hasani.
Kryediplomati shqiptar është shprehur se Shqipëria e konsideron CEI-n një platformë pro aktive të bashkëpunimit rajonal, teksa ka nënvizuar se shteti shqiptar ka qenë dhe vazhdon të jetë një prej promotoreve të paepura lidhur me çdo propozim e projekt të kësaj nisme.
Me propozim të ministrit Hasani, takimi ka nisur me një minutë heshtje në nder të jetës dhe kontributit të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili është ndarë sot (e hënë) nga jeta.
Shqipëria është anëtare e Nismës për Evropën Qendrore prej vitit 1996 dhe ka presidencën e saj prej janar 2024 – dhjetor 2024.