Kryediplomati turk: Mbështesim Kosovën për ta arritur pozitën e merituar në arenën ndërkombëtare
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan është shprehur se ndihet si në shtëpinë e tij në Prishtinë.
Fidan ka thënë se populli i Kosovës nuk është vetëm mik i Turqisë, por janë “vëllezërit e motrat e tyre”.
Këtë deklaratë ai e ka dhënë në një konferencë të përbashkët me homologen e saj të Kosovës, Donika Gërvalla, pas takimit që zhvilluan.
“Dua ta shpreh kënaqësinë time që ndodhem në Prishtinë, dhe në të vërtetë veten e ndiej si në shtëpi”.
“Kosovarët nuk janë vetëm miqtë tanë, janë edhe vëllezërit e motrat tona. Ne duam që lidhjet e palëkundura mes nesh, të zhvillohen në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Fidan.
Më tutje, Fidan ka thënë se Turqia ka mbështetur dhe mbështet Kosovën në arritjen e saj të merituar në arenën ndërkombëtare.
“Folëm dhe për zhvillimet e fundit në Ballkan dhe se çfarë mund të bëhet për arritjen e stabilitetit në rajon. Ne si Turqi mbështesim Republikën e pavarur të Kosovës dhe vlerësojmë se ajo të qëndrojë në këmbët e saja. Ne kemi mbështetur Kosovën që nga fillimi për ta arritur pozitën e saj të merituar në arenën ndërkombëtare, dhe mbështetja jonë do të vazhdojë. Forcat e NATO-s dhe KFOR-it kanë rol të rëndësishëm në Kosovë në vendosjen e sigurisë. Është krenari që shohim komandantin tonë që vazhdon të ketë suksese këtu në Kosovë”.
“Qëllimi ynë është të sjellim një vizion gjithëpërfshirës në marrëdhëniet tona, sigurinë, politikën dhe ekonominë i konsiderojmë tri shtylla kryesore të bashkëpunimit tonë”, ka thënë Fidan. /KK