Kryediplomatja e Kosovës: Vuçiqi si ‘këlysh’ i Rusisë po e kërcënon rajonin me luftë të re
Kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, e ka quajtur Aleksandër Vuçiqin si “këlysh të Rusisë” i cili sipas saj bashkë me Moskën zyrtare po tenton të minojë stabilitetin dhe paqen në rajon.
Ky reagim i ministres ka ardhur pasi Vuçiq ka thënë se Serbia po përgatitet ushtarakisht pasi që një konflikt i ngrirë mund të eskalojë papritur, njëjtë siç ka ndodhur në mes të Armenisë dhe Azerbejxhanit.
Ajo ka thënë se ish-ministri i Informacionit gjatë regjimit të “Kasapit të Ballkanit”, pasi ka furnizuar me armë palët në betejën Nagorno-Karabak, është duke tentuar të nxisë luftëra të reja në Ballkan.
“Pasi furnizoi me armë konfliktin Nagorno-Karabak, me armë të prodhuara nga Serbia, Aleksandër Vuçiq, Ministri i Informacionit në kohën e Millosheviçit tani po kërcënon të gjithë NATO-n, si dhe po nxit vendet fqinje për përgatitje ushtarake për luftëra të reja në Ballkan”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në llogarinë e vet në “Twitter”, duke e quajtur Vuçiqin edhe “këlysh” të Rusisë.
“Politika dhe qasja e ‘këlyshit Rusisë’ është qartazi kundër vlerave të BE-së dhe politikave të sigurisë së Ballkanit. Të gjitha përpjekjet ruse dhe serbe për të minuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit janë të papranueshme për Kosovën dhe, me siguri, do të dështojnë, njësoj sikurse kapitullimi i tyre famëkeq në 1999-ën”, ka shkruar ajo.
After fuelling #NagornoKarabakh fight w/ #Serbian made arms, #Serbia’s @avucic, Milosevic’s Information Minister now threatens all @NATO aligned neighboring countries that it will continue to prepare militarily for new #Balkans wars!
— Meliza Haradinaj (@MelizaHaradinaj) November 12, 2020