Kryediplomatja gjermane: Kosova të bëjë gjithçka për ta siguruar shumicën në KiE
Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Baerbock, sërish i ka bërë thirrje që Kosova të bëjë gjithçka që arrihet shumica e kërkuar për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Këtë deklaratë ajo e ka bërë përpara mbledhjes së Komitetit të Ministrave që do të mbahet sot (e premte), e ku Kosova nuk është në rend të ditës.
“Të gjithë të përfshirët dhe të gjithë përgjegjësit në Kosovë duhet të bëjnë gjithçka për ta siguruar shumicën e kërkuar në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës që të arrihet së shpejti”, ka thënë ajo.
Kosova nuk është futur fare në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, pasi Kosova s’e ka plotësuar kërkesën e disa vendeve evropiane që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.