Kryediplomatja gjermane: Türkiye ka rol qendror në përballjen me krizën aktuale në Siri

04 dhjetor 2024 | 09:13

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock lidhur me situatën në Siri tha se Türkiye ka rol qendror në përballjen me krizën aktuale, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga llogaria e saj në platformën e medias sociale X të Ministrisë së Jashtme, Baerbock rikujtoi se ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm të Türkiyes, Hakan Fidan në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel.

“Türkiye si një aktor kyç në rajon ka rol qendror në përballjen me krizën aktuale”, deklaroi kryediplomatja gjermane. Në postimin e saj, Baerbock tha se mbrojtja e civilëve dhe pakicave në Siri duhet të jetë prioritet kryesor.

Ajo potencoi edhe luftën në Ukrainë duke thënë se NATO është spiranca e sigurisë në kohë të tilla të stuhishme.

Baerbock theksoi rëndësinë e marrjes së përgjegjësisë nga Gjermania në situata të tilla. “Mbrojtja e krahut lindor të NATO-s dhe mbështetja e Ukrainës në aspektin politik, ekonomik dhe ushtarak janë të rëndësishme për sigurinë e Evropës. Me brigadën tonë në Lituani ne po punojmë në tokë, me ‘Eurofighter’ në ajër ndërsa me anijet shtesë në Detin Baltik po forcojmë krahun lindor të NATO-s”, tha ministrja gjermane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ukraina do të hyjë menjëherë në NATO – me pjesën,…