Kryediplomatja nga memoriali ‘Heroinat’: E vërteta e Kosovës do thuhet zëshëm kudo në botë
05 qershor 2020
| 11:29
Meliza Haradinaj-Stubulla para se ta marrë detyrën e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka bërë homazhe tek memoriali “Heroinat” në Prishtinë.
Ajo ka thënë se simbolika e kësaj është që kudo që të shkojë në botë si ministre do ta thotë të vërtetën e Kosovës, duke kërkuar drejtësi për plagët e luftës.
“Jo rastësisht sot para se ta marrë detyrën po e filloj me nderime tek memoriali ‘Heroinat’, duke u zotuar nga këtu se e vërteta e plotë e Kosovës kudo që të jem në botë do të thuhet zëshëm. Drejtësia dhe përgjegjësia për plagët tona ende të hapura do të kërkohet pa ndalë”, ka thënë Haradinaj-Stubulla.
Memoriali “Heroinat” i kushtohet sakrificës dhe kontributit të grave kosovare gjatë luftës së vitit 1998-1999.