Kryemadhi, KQZ-së: Askujt mos t’i jepet mandati i deputetit nëse del nga lista e LSI-së
Komiteti Drejtues Kombëtar ka vendosur çregjistrimin si anëtarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) të të gjithë kandidatëve për deputetë të listës shumëemërore të LSI-së të paraqitur prej saj për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 qershor 2017, të cilët thyejnë vendimin politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe pranojnë mandatin e deputetit.
E për këtë arsye në një letër drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka kërkuar që mandati i deputetit të LSI të mos i jepet askujt që del nga lista e dorëzuar në 2017-ën, pasi sipas saj ata kandidatë nuk përfaqësojnë më këtë lëvizje.
“Çdo individ i listave shumëemërore të LSI-së, që pranon mandatin e deputetit nuk përfaqëson as formalisht as ligjërisht dhe as politikisht Lëvizjen Socialiste për Integrim, ndaj edhe dhënia e mandatit çdo njërit prej tyre është antikushtetuese dhe antiligjore, pasi në zgjedhjet politike të 25 qershorit në përputhje me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor qytetarët shqiptarë kanë votuar për partitë politike dhe jo për individët”, është thënë në letrën e Kryemadhit drejtuar KQZ-së. /Top Channel/