Kryemadhi: LSI-ja nuk bëhet pjesë e pazareve për të shpëtuar Ramën
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi, ka thënë se kjo parti nuk do të ketë asnjë marrëveshje apo bisedime me Partinë Socialiste (PS) sa i përket bashkimit të votave për votimin e Ligjit të magjistraturës.
Ajo ka thënë se LSI-ja ka qenë dhe do të jetë pro dhe pjesë e çdo takimi apo tryeze që trajton dhe diskuton përmirësimin e jetës së shqiptarëve dhe largimin e klikës së Edi Ramës.
“Asnjë marrëveshje apo bisedim nuk ka dhe nuk do të këtë për t’i zgjatur agoninë kësaj qeverie, që e zhytur në krim, trafiqe të paligjshme dhe korrupsion po përpiqet, që në grahmat e fundit, të mundet të shpëtoje me manipulime të tilla. Çdo përpjekje tjetër për ta përfshirë LSI-në në bisedime është thjesht pjesë e fantazisë së sëmurë të Edi Ramës, që sot më shumë se kurrë është i gatshëm të blejë e të shesë çdo gjë e çdokënd në emër të pushtetit, por që duhet ta ketë më shumë se kurrë të qartë, se për të shpëtuar karrigen e tij nuk do ketë kurrë ndihmën e LSI-së”, ka shkruar Kryemadhi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Kryemadhi ka thënë se LSI-ja do të vazhdojë të jetë pjesë e opozitës së bashkuar.
“Me qëllimin e qartë dhe të saktë, largimin e pushtetit banditesk të Edi Ramës! Të shpëtosh sot Edi Ramën do të thotë të shkatërrosh përfundimisht të ardhmen e shqiptarëve, dhe këtë mëkat LSI nuk e merr në kurriz”, ka shkuar Kryemadhi.
/Epoka e re/