Kryemadhi: Së shpejti do shpërthejë një tjetër skandal i Qeverisë
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi, ka zhvilluar një takim të dielën me të rinjtë e kësaj lëvizje në Vlorë, ku u ka bërë thirrje të gjithëve që të bashkohen me protestën studentëve që do të zhvillohet nesër ( e hënë).
Kryemadhi është shprehur se demaskimi që ka marrë kryeministri Edi Rama ditë më parë gjatë takimit me ta në Vlorë, iu ka dhënë studentëve një forcë dhe vullnet për të vijuar të palëkundur në kërkimi e të drejtave të tyre.
“Protesta e studentëve në Vlorë ka një vlerë të jashtëzakonshme, por ka edhe një vlerë historike sepse rinia e ka kuptuar se kur janë të bashkuar dhe kanë një qëllim mund t’ia arrijnë. Demaskimin më të madh Ramës ia bënë studentët e Vlorës. Ai demaskim iu dha forcë dhe vullnet studentëve. Ne politikanët ndonjëherë bëhemi cinikë, por harrojmë se edhe ne burimin e kemi tek populli. Asnjëri nga ne nuk e meriton atë që kemi, por më e pakta që duhet të bëjmë është që të kujdesemi për qytetarët”, ka thënë Kryemadhi.
Më tutje, ajo ka thënë se shumë shpejt do të plasë një tjetër skandal i Qeverisë Rama.
“Ka një skandal tjetër që do i shpërthejë Edi Ramës. Shikoni sahatet në shtëpitë tuaja. Ju mund të keni harxhuar 100 kilovatorë, po ata u faturojnë 150”, ishte ky paralajmërimi i Kryemadhit.