Kryemadhi: Shqiptarët nuk nënshtrohen
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi, gjatë takimit të zhvilluar me anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar të LRI-së, ka folur edhe për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri.
Ajo ka theksuar se sot opozita është përballë një grusht njerëzish, të cilët nuk përfaqësojnë ideologji politike, por përfaqësojnë ideologjinë kriminale.
Kryemadhi ka thënë se nuk ka një përplasje me Evropën dhe me ndërkombëtarët. “Përplasja jonë ka të bëjë me këtë sekt kriminal, ka të bëjë me këtë krim të organizuar, që ka kapur ekonominë shqiptare, ka kapur drejtësinë shqiptare, ka kapur shtetin, qeverinë, institucionet shqiptare”, ka thënë Kryemadhi.
Më tutje, Kryemadhi ka theksuar se ky sekt kriminal pasi ka ndërtuar kështjellën mbrojtëse në Shqipëri, po kthehet edhe në rrezik për rajonin, por edhe për Ballkanin, raporton “TCh”.
“ Sot jemi përballë një grushti njerëzish, të cilët nuk përfaqësojnë ideologji politike, por përkundrazi përfaqësojnë ideologji kriminale, përfaqësojnë grupe të caktuara kriminale, përfaqësojnë trafikun e drogës, përfaqësojnë trafikun e drogës, përfaqësojnë krimin e organizuar, i cili pak nga pak ka ndërtuar kështjellën e tij mbrojtëse në Shqipëri, në mënyrë të tillë për të shtrirë falangat e tij në të gjithë rajonin, por edhe në të gjithë Evropën. Në fakt përplasja jonë nuk ka të bëjë as me Evropën, as me ndërkombëtarët dhe as me njeri tjetër. Përplasja jonë ka të bëjë me këtë sekt kriminal, ka të bëjë me këtë krim të organizuar, që ka kapur ekonominë shqiptare, ka kapur drejtësinë shqiptare, ka kapur shtetin, qeverinë, institucionet shqiptare”, ka thënë Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së ka thënë se çdo ditë e më shumë po rritet neveria ndaj këtij grupi kriminal që ka kapur shtetin.
“Ajo që të bën përshtypje është që neveria është jashtëzakonisht e madhe për këtë grup njerëzish të cilët kanë kapur shtetin. Neveri e cila pak nga pak po kthehet në urrejtje, pak nga pak do të kthehet edhe në një përplasje sociale. Mos mendoni që nesër apo pasnesër apo edhe në një të ardhme njerëzit do të tolerojnë që të vendosë dikush për fatet e tyre, apo për të ardhmen e tyre. Shqiptarët janë një popull i vogël, janë një popull i varfër, por për tu nënshtruar e kanë pasur të vështirë. Edhe kur kanë ulur kokën, sepse nuk kanë qenë bashkë, sot më shumë se kurrë shqiptarët janë bashkë. Pa dallim bindjesh politike apo përkatësie fetare, por janë bashkuar të gjithë bashkë dhe nuk kanë dalë as për një parti politike apo për një tjetër. Kanë dalë për ekonominë e tyre, të familjeve të tyre, kanë dalë për fëmijët e tyre”, është shprehur Kryemadhi.