Kryemadhi takim me strukturat e LSI-së në Tepelenë: Ndizni motorët e fushatës, zgjedhjet janë afër
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi dhe ish-deputeti Vangjel Tavo kanë zhvilluar të dielën një takim organizativ me strukturat e LSI-së në Tepelenë. Në ketë takim kryetari i LSI-së në Tepelenë është zgjedhur ekonomisti Sefer Kanushi.
Gjatë fjalës së saj, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme janë afër dhe se tashmë duhet të ndizen motorët e fushatës.
Kryemadhi ka thënë se LSI-ja forcën reale e ka tek njerëzit, jo tek emrat e përveçëm. Duke folur për situatën aktuale, Kryemadhi ka thënë se gjendja ekonomike e vendit është e mjerë.
“Taksat rriten, ndërsa të ardhurat për familjen shqiptare ulen”, ka thënë ajo, duke shtuar se duhet ta ndalin eksodin e shqiptarëve.
Ajo ka theksuar se papunësia është rritur për shkak të paaftësisë dhe korrupsionit qeveritar.
“LSI-ja është parti e fjalës së mbajtur. Duhet të punojmë që shqiptarët të bëjnë Shqipërinë shtëpinë e tyre. Fermerët dhe blegtorët janë në qendër të programit të LSI. Rinia duhet të gjenerojë energji në Shqipëri, jo të marrë rrugët e emigrimit”, ka deklaruar Kryemadhi. /TCh/