“Kryeministër, parandalo grevën e përgjithshme”
Dhjetëra punëtorë të institucioneve të Kosovës, i janë bashkuar protestës së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BPSK), e cila ka kërkuar plotësimin e disa kërkesave nga Qeveria Kurti.
“Kryeministër realizo kërkesat tona! Parandalo grevën e përgjithshme!”, “Çka po ndodh me ligjin e pagave?”, “Vlerësim i punës e i mundit”, “Urgjentisht të shfuqizohet kriteri prej 15 vjetëve përvojë pune që kërkohet para vitit 1999”, ishin disa nga pankartat që mbanin punëtorët gjatë marshit të tyre nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të ndërtesës së Qeverisë.
Nga kjo protestë janë dëgjuar edhe thirrje ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që sipas tyre, të mos i mashtrojë me Ligjin për Paga, por ta bënë atë ose t’i ngritë pagat.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, ka kërkuar që të miratohet sa më shpejtë Projektligji për Pagat.
Gjatë fjalimit të tij para qindra protestuesve te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, Hykolli ka kërkuar po ashtu që deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, Qeveria t’ua shtojë në paga nga 100 euro.
Ai po ashtu ka kërkuar plotësim-ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale dhe zbatimin e Ligjit për sigurime shëndetësore.
Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se Qeveria nuk po dëshiron dialog. Ai ka paralajmëruar veprime më të rënda sindikale pas kësaj protestë.
“Qeveri, këta janë njerëzit tuaj. Është trup që të qëndroni në Amerikë e të mos dilni para këtyre njerëzve që presin në diell. Lutemi të këndelleni, në të kundërtën pas kësaj proteste madhështore do të ketë edhe veprime më të rënda të cilat ne nuk i duam, por si duket i doni. Ne e duam Ligjin e Pagave, por jo ligj që na punon dikush, por që e punojmë edhe ne”, ka thënë Jasharaj. /EO