Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Albin Kurti në simpozium në Greqi
Kryeministri Edi Rama të hënën do të jetë mikpritës i një takimi informal, të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor dhe komisionerit për zgjerim Oliver Varheily.
Synohet koordinimi dhe dalja me kërkesa të përbashkëta për Samitin Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tetor në Tiranë. Ky takim u paralajmërua prej kryeministrit Rama gjatë turit dy ditor në 5 vende të Ballkanit Perëndimor në kuadër te presidencës shqiptare të procesit të Berlinit.
Formatit 6+1 në këtë takim shikohej, si një mundësi e mirë për të shkrirë akullin mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut Albin Kurti.
Por kjo pritet të mos ndodhë.
Top Channel mëson se me të gjitha gjasat Albin Kurti nuk do të jetë të hënën në Tiranë nga ku pas shumë muaj ndërprerje dialogu me Beogradin, do të mund të takohej jo vetëm me Ramën që nuk e priti në Prishtinë por edhe me presidentin Alaksandar Vuçiç apo kryeministren e Serbisë Ana Brnabiç. Në vend të kësaj, kreu i qeverisë së Kosovës ka zgjedhur të marrë pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, të themeluar nga ish-kryeministri grek George Papandreou, që po mbahet aktualisht në Greqi: 16 deri në 20 Korrik.
Në takimin informal në Tiranë, i cili do të mbahet në vilën qeveritare numër 31 në ish Bllok, Kosova pritet të përfaqësohet nga Besnik Bislimi zëvendës kryeministër dhe krye-negociator për bisedimet teknike me Beogradin.
Megjithëse një takim informal i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor bashkë me komisionerin për zgjerim Oliver Varheily synon mirë-përgatitjen për të patur një zë të unifikuar në samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë në Tetor.