Kryeministri armen shkarkon gjeneralin që ia kërkoi dorëheqjen
Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, tha të mërkurën se Shefi i Stafit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Onik Gasparyan, është liruar nga detyra.
Pashinyan, në pushtet nga viti 2018 në republikën e vogël ish-sovjetike, është duke u përballur me një krizë politike, pasi komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ia kërkoi dorëheqjen shkaku i menaxhimit të konfliktit të armatosur me Azerbajxhanin vitin e kaluar.
Sidoqoftë, kryeministri nuk e përfilli kërkesën e ushtarakut dhe tha se kjo është një përpjekje për puç, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Tensionet politike në Armeni ditëve të fundit kanë qenë të larta. Përkrahësit e kryeministrit Pashinyan në njërën anë dhe përkrahësit e opozitës në anën tjetër kanë mbajtur tubime për ta kundërshtuar njëri-tjetrin, përkatësisht njëri grup për ta përkrahur qeverinë e tjetri për ta kundërshtuar atë.
Pashinyan është përballur me protesta dhe thirrje për dorëheqje që nga përfundimi i konfliktit me Azerbajxhanit në nëntor të vitit të kaluar. Luftimet u ndërprenë pas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Rusia. Sipas marrëveshjes, Armenia e dorëzoi kontrollin ndaj disa pjesëve të Nagorno-Karabakut dhe shtatë distrikteve përreth tij, të cilat forcat armene i kishin pushtuar në vitet e nëntëdhjeta.
Gjatë konfliktit që zgjati gjashtë javë, ushtria e Azerbajxhanit u përkrah haptazi nga Turqia dhe përdori dronë të avancuar, duke i shkaktuar shumë humbje armikut. Të dyja palët humbën nga më shumë se 4.000 ushtarë në konflikt.