Kryeministri dënon gjuhën e Nasim Haradinajt ndaj Delawies
Kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj deklaratës së nënkryetarit të OVL-UÇK-së, Nasim Haradinajt, për ambasadorin amerikan në Kosovë, Greg Delawie.
Në profilin e vet në “Facebook”, Haradinaj ka shkruar se në këtë kohë kur Kosova po ballafaqohet me debat të brendshëm rreth dhomave të specializuara, gjuha fyese është e dënueshme për këdo.
Postimi i plotë i kryeministrit në “Facebook”:
“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës ,
Në këtë kohë kur Kosova po ballafaqohet me debat të brendshëm rreth Dhomave të Specializuara, gjuha fyese në këtë debat është e dënueshme për këdo.
Deklarimet fyese nuk i bëjnë nder askujt dhe dëmtojnë proceset tona zhvillimore.
Fyerja e shprehur publikisht e z. Nasim Haradinaj është në kundërshtim të plotë me etikën tonë të diskursit publik dhe normat të cilave u përkushtohemi si qytetarë të Kosovës.
U bëj thirrje të gjithëve që të distancohen dhe të përmbahen nga të shprehurit e një fjalori të tillë ndaj kujtdo qoftë”.
Sot nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj, e ka quajtur palaço ambasadorin amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, për shkak se ky i fundit po e kundërshton iniciativën e disa deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.