Kryeministri do të ketë rol në bisedimet me Serbinë
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Blerim Kuçi, ka paralajmëruar se kryeministri i vendit do të ketë rol kyç në fazën finale të dialogut me Serbinë.
Ai ka deklaruar se kreu i ekzekutivit ka komunikim me të gjitha partitë parlamentare dhe shumë shpejt do t’i thërras në një takim për të diskutuar rreth hartimit të platformës për bisedimet me Serbinë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Kuçi ka treguar se platforma do ta përcaktojë edhe formatin e bisedimeve.
“Ne e patëm një debat në Kuvend për fazën e fundit të dialogut me Serbinë dhe si konkluzion i këtij debati ishte kërkesa e opozitës që kryeministri ta ketë një rol kyç në këtë epilog të dialogut. Pra, si rekomandim ishte që kryeministri t’i thërras liderët e partive parlamentare dhe ta krijojnë së bashku një platformë të bisedimeve në të cilën do të caktohet edhe formati i personaliteteve që do të shkojnë në këto bisedime. Po shpresoj që kryeministri do t’i thërras liderët e partive parlamentare dhe të bisedojnë ku pastaj do të dalin me një platformë e cila do të aprovohej në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Kuçi.
Ai ka vlerësuar se opozita duhet të jetë e përgjegjshme në këtë proces dhe të mos bëjë vetëm deklarata boshe.
Kuçi ka deklaruar se askush nuk duhet t’i ikë këtij procesi. “Mendoj se kryeministri vetëm e ka filluar këtë proces, mirëpo nuk duhet të ketë lojë të partive në këtë proces dialogues. Procesi i dialogut me Serbinë duhet të jetë jashtë kornizave dhe garës pozitë dhe opozitë. Në raport me këtë proces duhet të jemi të gjithë unikë dhe të ulemi të bisedojmë. Tanimë kryeministri ka një komunikim dhe pritet vetëm të takohen për hartimin e një platforme për bisedime. Nëse një parti politike i ikën kësaj çështje, atëherë diçka nuk është në rregull me atë parti dhe ajo parti qendrën e saj nuk e ka brenda, por jashtë Kosovës”, është shprehur ai, duke shtuar se faza e fundit e dialogut me Serbinë duhet të jetë jashtë garës së përditshme në mes të partive politike.
Sipas Kuçit, Kosova në këtë fazë duhet të hyjë vetëm si unike. “Epilogu i dialogut me Serbinë duhet të jetë jashtë kësaj garës së zakonshme të brendshme politike. Nëse nuk e kuptojmë këtë atëherë diçka me partitë tona politike nuk është në rregull. Nuk ka kuptim që subjektet tona politike të mos ulen dhe ta krijojnë një platformë për këto bisedime dhe ta caktojnë formatin e bisedimeve se kush do ta përfaqësojë Kosovën në këtë dialog. Ne nuk kemi nevojë ta marrim me yrysh këtë fazë, sepse Kosova është shtet i pavarur dhe funksional me kufijtë e vet dhe në këtë fazë ne duhet të hyjmë vetëm kur jemi unikë dhe të përgatitur”, ka deklaruar Kuçi.
“Epoka e re”: Z. Kuçi, presidenti Hashim Thaçi ka propozuar idenë që përmes korrigjimit të kufirit me Serbinë të bashkohet Lugina e Preshevës me Kosovën. Cili është qëndrimi i AAK-së për këtë çështje?
Kuçi: Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim ani pse tani kjo është në një ambient tjetër, sepse tani jemi në fazën e epilogut të dialogut. Ju e dini se dialogu ka qenë një proces i zgjatur mirëpo, siç dihet, çdoherë kur jemi në fund të një procesi dalin propozime të ndryshme. AAK-ja asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e vet, Kosova i ka kufijtë e vet të njohur ndërkombëtarisht dhe mbi bazën e atyre kufijve rreth 115 shtete e kanë njohur Kosovën. Duhet të kihet parasysh se këto janë tema të ndjeshme dhe ka një lloj pasigurie në këto ide. T’ju them të drejtën, nuk e kuptojmë pse tani prezantohen këto ide. Mendoj se nuk kemi përgatitje dhe siguri në ide të tilla, qoftë të ndryshimeve të vogla të kufijve.
“Epoka e re”: Pra, mendoni se Kosova duhet të bëhet pjesë e OKB-së me kufijtë aktualë?
Kuçi: Kosova raportet me NATO-n i ka krejt të veçanta dhe garantuesi kryesor për këta kufij është NATO-ja. Pra, Kosova ka avancuar me kufijtë ekzistues. Tani pse po ndodh kjo lëvizje për ndryshim të kufijve nuk jemi duke e kuptuar. Flitet se ka ndërhyrje edhe të shteteve jomike që të na shtyjnë në një agjendë e cila për neve ka shumë të panjohura ose nuk është e analizuar mirë. Ne e patëm një debat në Kuvend për fazën e fundit të dialogut me Serbinë dhe si konkluzion i këtij debati ishte kërkesa e opozitës që kryeministri ta ketë një rol kyç në këtë epilog të dialogut. Pra, si rekomandim ishte që kryeministri t’i thërrasë liderët e partive parlamentare dhe ta krijojnë së bashku një platformë të bisedimeve në të cilën do të caktohet edhe formati i personaliteteve që do të shkojnë në këto bisedime. Po shpresoj që kryeministri do t’i thërras liderët e partive parlamentare dhe të bisedojnë ku pastaj do të dalin me një platformë e cila do të aprovohej në Kuvendin e Kosovës.
“Epoka e re”: Ju jeni optimist se opozita do të jetë pjesë e fazës finale të dialogut?
Kuçi: Mendoj se ky proces është jashtë kornizave politike. Ne shpesh e kemi një garë të brendshme mes partive politike, mirëpo epilogu i dialogut me Serbinë duhet të jetë jashtë kësaj gare të zakonshme të brendshme politike. Nëse nuk e kuptojmë këtë atëherë diçka me partitë tona politike nuk është në rregull. Nuk ka kuptim që subjektet tona politike të mos ulen dhe ta krijojnë një platformë për këto bisedime dhe ta caktojnë formatin e bisedimeve se kush do ta përfaqësojë Kosovën në këtë dialog. Ne nuk kemi nevojë ta marrim me yrysh këtë fazë, sepse Kosova është shtet i pavarur dhe funksional me kufijtë e vet dhe në këtë fazë ne duhet të hyjmë vetëm kur jemi unikë dhe të përgatitur.
“Epoka e re”: Kur pritet që kryeministri t’i thërrasë në takim liderët partiakë për të diskutuar për këtë çështje?
Kuçi: Së pari të shohim se kërkesa e opozitës që kryeministri të marrë rol kyç në këtë proces a është vetëm si deklaratë e zbraztë apo me të vërtetë kanë vullnet të takohen me kryeministrin dhe të diskutojnë për këtë temë. Mendoj se kryeministri vetëm e ka filluar këtë proces, mirëpo nuk duhet të ketë lojë të partive në këtë proces dialogues. Procesi i dialogut me Serbinë duhet të jetë jashtë kornizave dhe garës pozitë dhe opozitë. Në raport me këtë proces duhet të jemi të gjithë unikë dhe të ulemi të bisedojmë. Tanimë kryeministri ka një komunikim dhe pritet vetëm të takohen për hartimin e një platforme për bisedime. Nëse një parti politike i ikën kësaj çështje atëherë diçka nuk është në rregull me atë parti, pra ajo parti qendrën e saj nuk e ka brenda, por jashtë Kosovës.
“Epoka e re”: Opozita, të cilën ju po e ftoni të jetë pjesë e dialogut, vazhdimisht po kërkon rrëzimin e Qeverisë dhe shkuarjen në zgjedhje të reja?
Kuçi: Prej shpalljes së pavarësisë tashmë kemi krijuar një traditë që opozita vazhdimisht të kërkojë zgjedhje të reja dhe këtë e bën për ta mbajtur elektoratin e vet aktiv, për t’i dhënë një shpresë atij se do të ketë ndryshime në mënyrën që ata kërkojnë. Mirëpo po më duket se kërkesa për zgjedhje të reja është e zbrazët edhe karshi kërkesave që ka Kosova tani. Ata e dinë se në këtë fazë roli i kryeministrit Haradinaj është i pashmangshëm, pavarësisht nëse ai është pozitë apo opozitë. Për fat të mirë, ai është tani në krye të ekzekutivit dhe ekziston mundësia t’i rregullojë këto gjëra më mirë dhe në mënyrë të duhur.
“Epoka e re”: Sipas jush, kërkesa e opozitës për zgjedhje të reja është joserioze?
Kuçi: Është një standard i opozitës të cilën e njohim prej vitit 2008.
“Epoka e re”: Po ashtu, është krijuar një traditë që, pas një periudhe gati njëvjeçare të një qeverie, të ndodhë riformatimi i kabinetit qeveritar. Mund të ndodhë tani ky proces?
Kuçi: Riformatimi i Qeverisë është një proces që varet prej vlerësimit të partnerëve të koalicionit qeverisës. Mendoj se fillimisht duhet të bëhet analiza e punës së sektorëve të ndryshëm qeveritarë, pastaj varet se si e vlerësojnë partnerët qeveritarë. Së paku, unë nuk kam njohuri se a mund të ndodhë një gjë e tillë. Edhe nëse ndodh duhet të shihet si diçka normale.
Muahmet KOCI