Kryeministri është i rrezikuar, ka shtim të forcave që e ruajnë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka folur lidhur me raportimet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është kërcënuar, më saktësisht, se ka pasur plane për tentim atentat ndaj tij gjatë qëndrimit në Maqedoninë e Veriut.
“Për kërcënim ndaj tij e ka konfirmuar edhe ish-kreu i AKI-së Burim Ramadani. Po, ka pasur kërcënim dhe rrezik, mendoj qe me këto gjëra nuk duhet bërë hajgare. Sepse opozita, kur kërcënohej Memli (Krasniqi) dhe e mori nën mbrojtje atë dhe Lumirin (Abdixhikun) askush nuk doli të thotë pse e si, e opozita gjithçka mundohet të mohojë”, tha Bajqinovci.
Bajqinovci tha se nuk ka shumë informacione lidhur me këtë temë, por “një gjë tha se e di mesiguri”, se “ka rrezik”.
Bajqinovci ka folur tutje për sigurinë në vend.
“Shkatërrimi i bandave kriminale, vendosja e sigurisë në veri të vendit, dhe arrestimi i kryeterroristëve në veri, ka bërë që rrezikshmëria ndaj kryeministrit Kurti dhe të tjerëve të rritet”, tha Bajqinovci.
“Kryeministri është i rrezikuar dhe normalisht që edhe ka shtim të forcave që e ruajnë pak më shumë”, u shpreh tutje. /ATV