Kryeministri falënderon Shqipërinë për mbështetjen dhe raportet vëllazërore
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur në takim ministrin e Mbrojtjes të Shqipërisë, Pirro Vengu.
Fillimisht, Kurti ka shprehur falënderimin për mbështetjen e Shqipërisë dhe raportet vëllazërore.
Ai k vënë theksin veçanërisht edhe në thellimin e bashkëpunimit në mes të ministrive tona të mbrojtjes.
“Nga marrëveshjet e arritura si ato për lehtësimin e procedurave të kalimit tranzit të mallrave ushtarake për qëllime dhe nevoja të dyanshme dhe marrëveshja mbi fushën e mjekësisë ushtarake, deri tek rëndësia e aspektit të trajnimeve, ushtrimeve të përbashkëta, bashkëzbarkimit në misione paqeruajtëse dhe operacione ndërkombëtare si pjesë e një kontingjenti dhe investimet e përbashkëta në industrinë e mbrojtjes”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.
Kryeministri Kurti ka nënvizuar mbështetjen e Shqipërisë edhe për anëtarësimin e Kosovës si anëtar me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut (A-5), ku Shqipëria është edhe kryesuese këtë vit.
Duke e falënderuar për vizitën dhe bashkëbisedimin, kryeministri i ka uruar ministrit Vengu qëndrim të frytshëm në Kosovë