Kryeministri falënderon stafin shëndetësor për punën në përballje me pandeminë Covid-19
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka vizituar Ministrinë e Shëndetësisë, ku është pritur nga ministri Armend Zemaj me bashkëpunëtorë.
Pas këtij takimi, Hoti është takuar edhe me drejtorët e institucioneve vartëse dhe udhëheqësit e departamenteve në këtë ministri. Gjithashtu, kryeministri ka vizituar linjën e ndihmës psikologjike për Covid-19 si dhe Qendrën operative emergjente të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ai ka thënë se vizitën e parë në dikastere të Qeverisë e kishte në Ministrinë e Shëndetësisë, për të treguar se mbeten të përkushtuar për situatën në të cilën po kalon vendi ynë, raporton “Epoka e re”
“Takuam ekipin që gjatë gjithë kësaj periudhe, gjatë këtyre muajve ka qenë në krye të detyrës. I falënderova sinqerisht për punën që kanë bërë. Na informuan për ato që na presin në javët e ardhshme. Drejtori na informoi në detaje se si është menaxhuar situata deri më tash, si janë shifrat e qytetarëve të prekur nga kjo pandemi. Po lutemi që ta kalojmë sa më lehtë dhe po duket se jemi duke e kaluar lehtë”, ka thënë Hoti.
Gjatë këtij takimi, Hoti ka kërkuar nga drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani dhe nga ministri Armend Zemaj që të mbajnë lart vetëdijen e qytetarëve derisa përfundimisht të kalohet kjo gjendje.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, pasi ka falënderuar kryeministrin Hoti për vizitën, ka thënë se do të punojnë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në interes të publikut dhe mbi të gjitha të ruajtjes së shëndetit publik dhe jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe të avancojmë sistemin shëndetësor në vend.
Në anën tjetër, drejtori i Institutit të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ka thënë se situata epidemiologjike është nën kontroll dhe e qëndrueshme, por që nuk lë vend për vetëkënaqësi, përkundrazi do të ketë angazhim të shtuar duke pasur parasysh se tani ka ndodhur faza e tretë e lehtësimeve.