![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/09/kurtii.jpg)
Kryeministri ftohet për vizitë në Malajzi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin jorezident të Malajzisë në Kosovë, Dato Abdul Malik Melvin Castelino.
Me këtë rast, Kurti ka thënë se Republika e Kosovës është falënderuese për mbështetjen e vazhdueshme të Malajzisë, sidomos në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Në shërbim të partneritetit strategjik dhe avancimit të marrëdhënieve bilaterale, Kurti ka ftuar për vizitë në Kosovë, kryeministrin e Malajzisë dhe ka thënë se mirëpret edhe delegacionet e bizneseve malajzese të interesuara të investojnë në vendin tonë.
Duke shtuar se Malajzia i çmon marrëdhëniet me Republikën e Kosovës, ambasadori Castelino ia ka përcjellë Kurtit përshëndetjet e kryeministrit të Malajzisë, Ismail Sabri Yaakob, dhe e ka ftuar Kurtin për vizitë zyrtare në Malajzi.