Kryeministri Haradinaj: Boksierëve u uroj luftëra të forta, të ashpra, fer
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në hapjen e turneut ndërkombëtar të boksit, “Adem Jashari”, ka porositur boksierët pjesëmarrës që të zhvillojnë duele të ashpra dhe fer.
Haradinaj tha se e ka për nder që në emër të qeverisë të shpallë të hapur turneun tradicional të boksit “Adem Jashari”.
Foli edhe për “luftërat” që do të ndodhin në ringun ku edhe u bë hapja solemne e turneut, duke kërkuar nga gjyqtarët ndarjen e drejtësisë, e nga lojtarët përleshje të fortë, por fer.
“Po i them dy fjalë, edhe për luftërat që do të ndodhin në këtë ring por edhe për gjyqtarët. Boksierëve iu uroj luftëra të forta, të ashpra, fer, dhe ata që fitojnë urime, ndërkaq gjyqtarët të ndajnë sot drejtësinë pa bërë lëshime”, tha kryeministri Haradinaj në fjalën e tij para të pranishmëve.
Turneu “Adem Jashari”, ka filluar në vitin 1999 me iniciativën e klubit të boksit “Prishtina” dhe pastaj ka kaluar në nivel të Federatës së Boksit.