Kryeministri Haradinaj dhe ambasadori Heldt inauguruan restaurimin e Katedrales së Artanës

27 maj 2019 | 16:06

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, kanë marrë pjesë në inaugurimin e restaurimit të Katedrales së Artanës.

Me këtë rast kryeministri Haradinaj ka thënë se në Kosovë ekzistojnë plot vlera të përbashkëta.

“Vlera që nuk ndajnë, por bashkojnë. Bashkojnë të gjithë ata që kanë jetuar këtu, por edhe plot partnerë tanë në të kaluarën”, ka theksuar ai, duke shtuar se është kurioz për origjinën tonë se kush kemi qenë nëpër mijëra vjet.

Sepse sipas tij, janë 8 000 vjet të shënuara, të evidencave të ekzistencës së jetës dhe të një vazhdimësie në këto treva.

Haradinaj ka theksuar se katedralja për të cilën qeveria gjermane i ka dhënë para edhe Institutit Arkeologjik duke mundësuar të vijë kjo gjendje e renovimit çfarë sot u konstatua është edhe vlerë e përbashkët.

Ai ka deklaruar se rasti i kësaj katedraleje është vlerë e përbashkët me Gjermaninë dhe Kosovën e atëhershme, në kohën kur ka pasur marrëdhënie tregtare dhe bashkëpunime të tjera, por edhe bashkëjetesë në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj ka konstatuar se nëse iu jepet përkrahje ashtu siç iu thanë arkeologët, ata janë në gjendje ta nxjerrin në dritë një thesar të madh që e ka Artana dhe në këtë mënyrë të ecet përpara.

“Si kryetar i Qeverisë mund t’i them popullit të Kosovës se gjatë kohës sa jam në detyrë, Gjermania ka dhënë mbi 100 milionë donacione për projekte jashtëzakonisht me rëndësi për jetën e qytetarëve tanë, për jetën praktike”, është shprehur kryeministri Haradinaj, duke vlerësuar se veçanërisht ky gjest është mjaft domethënës, sepse jep edhe për vlerat historike që i ruajnë bashkë.

Ndërkaq ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka thënë se Instituti Arkeologjik po bën një punë të mirë për kulturën dhe historinë e këtij vendi dhe se ndihet i lumtur që ambasada gjermane e ka mbështetur këtë projekt.

Ndërsa drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, ka thënë se është i kënaquar që sot është bërë një promovim i punës së tyre për trashëgiminë kulturore dhe shekullore të vendit tonë.

Ai ka theksuar se me vite të tëra janë marrë iniciativa për ruajtje të këtij monumenti.

Restaurimi i Katedrales së Artanës është financuar nga Ambasada Gjermane, konkretisht nga Programi i ruajtjes kulturore nga Zyra Federale për Punë të Jashtme e Gjermanisë.

/Epoka e re/

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Ha​shim Thaçi, ka marrë pjesë…