Kryeministri Haradinaj ka dy kërkesa për Bashkimin Evropian
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë, ka parshtruar dy kërkesa për Bashkimin Evropian (BE) në raport me shtetin tonë.
Ai ka thënë se kërkesa e patra ka të bëjë me normalizimin e dialogut me Serbinë, ndërsa kërkesa e dytë me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Sot për sot për BE-në i kemi dy kërkesa. Këto kërkesa janë shumë legjitime, siç është normalizimi i dialogut edhe liberalizimi i vizave. Të dyja janë në proces edhe kjo e liberalizimit nuk është një vendim që ndërlidhet me taksën. Kjo është një kontratë e ndarë që ka pas Kosova me BE-në. Si palë kontraktuese e kemi kryer obligimin tonë, i kemi përmbushur kërkesat tona. Besoj që shumë shpejt do ta kemi liberalizmin e vizave, jo aq larg sa ka thënë Hahn”, ka thënë Haradinaj.
Sa i përket dialogut, Haradinaj ka thënë se është vet përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini ajo e cila e ka devijuar këtë dialog dhe i ka vënë në rrezik investimet e BE-së për këtë proces.
Ndërsa, pavarësisht kërkesave dhe takimeve me zyrtarët e lartë të BE-së, Haradinaj ka thënë se nuk e ka ndërmend ta tërheq vendimin për taksën ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.
“Taksa do të hiqet vetëm kur Serbia ta njohë Kosovën. Sido që të jetë edhe Serbia ka nevojë për diçka, e që është tregu i Kosovës. Siç thotë populli e ka në derë të shtëpisë. E nëse ata kanë ndonjë interes për këtë ne sot e ndërrojmë, pra nëse ndërron qëndrim”, është shprehur Haradinaj.