Kryeministri Haradinaj përkujton 74-vjetorin e masakrës së Tivarit
“Pa ndëshkimin e atyre që urdhëruan dhe kryen krimet, ato mund të përsëritën, kurdo. Së këndejmi, është detyrë e shtetit të Kosovës që t’i njohë dhe t’i trajtojë ata që kaluan ferrin e Tivarit, pas vdekjes, si martirë”, kështu ka deklaruar kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në akademinë përkujtimore me rastin e 74-vjetorit të masakrës së Tivarit.
Haradinaj ka thënë se masakra e Tivarit është ndër ngjarjet më të dhimbshme dhe një ngjarje ndaj së cilës është bërë më së shumti padrejtësi në gjithë këto vite.
“Dje janë mbushur 74-vjet nga masakra e Tivarit, ku nën ndikimin e hegjemonizmit serb u mobilizuan dhunshëm 13 mijë e 335 shqiptarë, të shpallur si robër lufte, një pjesë e të cilët pastaj u vranë dhe u hodhën në varreza masive, prej të cilëve shumica djem e burra të Kosovës. Pse duhet shënuar kjo ditë tragjike dhe përse duhet të ndërmarrim veprimet e duhura, si institucione të shtetit, jo vetëm të diskutojmë, por pastaj edhe të nxjerrim në dritë të drejtën? Sepse ky krim makabër është mohuar gjatë dhe këta njerëz e pasardhësit e tyre, kurrë nuk kanë marrë një përgjigje pse u vranë?”, ka deklaruar Haradinaj.
/Epoka e re/