Kryeministri Hoti: Do ta subvencionojmë dhe mbështesim prodhimin vendor
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, bashkë me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ministrin e Tregtisë, Vesel Krasniqi dhe drejtorin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Naser Krasniqi, ka pritur përfaqësuesit e sektorit të qumështit, nga të cilët është njoftuar për sfidat me të cilat po përballen ata, kryesisht për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19.
Me këtë rast, kryeministri Hoti ka shprehur përkushtimin e qeverisë për të qenë afër fermerëve dhe përpunuesve të qumështit, për të përmirësuar situatën me të cilën po përballet ky sektor.
Në këtë takim është dakorduar që qeveria të marrë përsipër në kuadër të Pakos për rimëkëmbje ekonomike të subvencionojë prodhimin vendor, përfshirë edhe prodhimin e qumështit në vlerë prej 25 për qind të çmimit të qumështit dhe produkteve të qumështit që është në stok. “Do të subvencinojmë vetëm qumështin dhe produktet e qumështit, jo produktet që kanë substanca të tjera, si për shembull qumësht pluhur ose me bazë me vaj palme”, ka thënë Hoti.
Pas takimit, kryeministri Hoti në një konferencë për media tha se ky sektor është zinxhir, duke filluar nga blegtorët tek grumbulluesit e qumështit, pastaj te përpunuesit dhe në fund marketet – tregu. Siç tha kryeministri, problemi qëndron te hallka e tretë, përpunuesit dhe disa probleme te hallka e katër, marketet.
Më tej, kryeministri Hoti tha se do të ketë kontroll rigoroz të importit të vajit të palmës dhe importit të qumështit pluhur, që të dihet se cilët përpunues të qumështit janë duke importuar dhe si po i përdorin këto produkte, për shkak se Qeveria është e interesuar që ta mbështesë prodhimin vendor, pra blegtorët.
Ndër të tjera, kryeministri Hoti tha se në tregtinë e brendshme, Inspektorati i Tregut bashkë me AVUK-un do të jenë jashtëzakonisht aktivë për t’u siguruar që në market, të ndahen fizikisht në lokacione të ndryshme brenda marketit produktet që janë me vaj palme dhe produktet që kanë bazë qumështin dhe ato të jenë të shënuara në mënyrë adekuate, që konsumatorët ta identifikojnë lehtë produktin dhe të dinë se çfarë blejnë.
Po ashtu, kryeministri Hoti tha se kanë marrë obligim që të punojnë bashkë me Ministrinë e Financave dhe me Administratën Tatimore të Kosovës që të përgatitet e gjithë baza ligjore, rregulloret, udhëzimet e ndryshme në mënyrë që të njihen humbjen në rast se derdhet qumështi apo hedhen produktet e ndryshme të qumështit.
“Këto janë dakordimet që kemi marrë sot me sektorin e qumështit, që mbulon mbi 90 për qind të këtij sektori, dhe ne do t’i kontaktojmë edhe prodhuesit tjerë, në mënyrë që bashkë me ministrat të marrim hapat e nevojshëm dhe të sjellim vendimet në Qeveri sa më parë, në mënyrë që t’u dalim në ndihmë”, tha kryeministri Hoti, duke shtuar se kjo zgjidhje duhet të jetë e pranueshme për të gjithë.
“Është paralajmëruar që disa prodhues, disa grumbullues të qumështit të dalin sot në protestë. Unë ju bëj thirrje atyre, i lus që të mos e hedhin qumështin, sepse, ju e dini që për çdo litër të qumështit që prodhohet, ne deri më tash e kemi subvencionuar 6 centë, 4 centë dhe 2 centë për litër, ndërsa tash e kemi dyfishuar me vendimin e djeshëm në Qeveri, subvencionojmë 12 centë, 8 centë dhe 4 centë për litër, varësisht prej cilësisë së qumështit dhe në të njëjtën kohë e kemi rritur subvencionimin për krerë të gjedheve, nga 70 euro në 140 euro, ndërsa për bagëtitë e imta nga 15 euro në 30 euro”, tha kryeministri Hoti.
Gjithashtu, ai premtoi se qeveria do t’i kryejë të gjitha detyrat që i takojnë, për t’u dalë në ndihmë në forma të ndryshme përmes subvencionimit të qumështit, të stoqeve që kanë mbetur të pa shitura dhe përmes granteve.
(A.M / Epoka e re)