Kryeministri Hoti paralajmëron takime me liderët e partive para nisjes për në Uashington
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se me kënaqësi ka pranuar ftesën e emisarit special të presidentit Donald Trump, Richard Grenell për dialog në Uashington, derisa ka theksuar se përpara kësaj vizite do të zhvillojë bisedime me opozitën dhe forumin e liderëve politikë të partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
Në këtë kontekst, Hoti ka theksuar se ky proces nuk i përket vetëm një qeverie, por të gjithë qytetarëve të vendit.
“Sigurisht ne jemi të nderuar që kemi pranuar këtë ftesë. Do të zhvillojmë diskutimet e nevojshme me të gjithë, në përputhje me qasjen që kemi premtuar, në mënyrë që si shtet të dalim unik në këtë proces të rëndësishëm. Unë do të tentoj të kem komunikim edhe me opozitën përpara se të shkojë në Uashington edhe me forumin e liderëve politikë të partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës, për t’i mbajtur të gjithë të përfshirë sepse ky nuk është proces që i takon vetëm një qeverie por të gjithë qytetarëve të vendit”, ka thënë Hoti.
Ndërsa sa i përket vizitës së përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak në Prishtinë, Hoti ka thënë se këtë të fundit do ta presin me protokollin e nevojshëm, për ta njoftuar me qëndrimet e Kosovës karshi dialogut.
“Zoti Lajçak përfaqëson 27 vende të BE-së. Do ta presim me të gjithë protokollin dhe nderimin e nevojshëm si shtet për të treguar qëndrimet tona karshi dialogut. Për ne edhe BE-ja edhe ShBA-ja janë kyçe edhe gjatë procesit të arritjes se marrëveshjes, por në veçanti kur vjen koha e zbatimit të marrëveshjes”, është shprehur Hoti.
Kryeministri Hoti ka folur edhe për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, për të cilën është shprehur i bindur se do të ndërtohet në përputhje me mundësitë buxhetore.
“Do të ndërtohet në përputhje me mundësitë tona buxhetore”, ka thënë Hoti gjatë përurimit të segmentit të parë të rrugës që lidhë Deçanin me Plavën.