Kryeministri Hoti: Përherë mirënjohës për ndihmën që SHBA-të kanë dhënë për Kosovën
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, në kuadër të vizitës zyrtare në Washington, ka takuar sot Drejtorin Ekzekutiv të Koorporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation- MCC), Sean Cairncross me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin dhe realizimin e projekteve të përbashkëta ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe MCC-së nga programet Kompakt dhe Threshold.
Me këtë rast, kryeministri Hoti ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e të gjitha kushteve, të cilat mundësojnë arritjen e synimeve të përbashkëta dhe jetësimin e këtyre projekteve.
“Populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës për ndihmën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për Kosovën, veçanërisht edhe nëpërmjet programit të MCC-së që mbështet përpjekjet e qeverisë për reforma në fusha të ndryshme”, pohoi kryeministri Hoti.
Kryeministri Hoti tha, po ashtu, se Qeveria e Kosovës e vlerëson shumë angazhimin e MCC-së në procesin e përfundimit të Programit Kompakt për Kosovën dhe se është shumë e rëndësishme të theksohet se projektet e përfshira në zhvillimin e programeve “Kompakt” dhe “Threshold” identifikohen bashkërisht nga stafi i MCC-së dhe Qeveria e Kosovës dhe si të tilla, këto programe mbështeten plotësisht nga Qeveria.
Duke falënderuar SHBA-të dhe MCC-në për mbështetje të vazhdueshme, kryeministri Hoti tha se Qeveria e Kosovës, duke ditur rëndësinë që kanë projektet e MCC-së për zhvillimin ekonomik të vendit, përmbushjen e nevojave afatgjate dhe përmirësimin e infrastrukturës energjetike, përmirësimin e ndotjes së ajrit dhe çështje të tjera, do të jetë e përkushtuar për plotësimin e kushteve dhe realizimin sa më të shpejtë të projekteve.
Kryeministri Hoti, me këtë rast, tha se përkundër situatës së rënduar nga pandemia COVID-19, Qeveria ka ndërmarrë hapat konkretë për përmbushjen e reformave të nevojshme dhe për programin e rimëkëmbjes ekonomike ka paraparë ndarjen e 10 milionë eurove si garanci kreditore për sektorin privat dhe energjinë e ripërtëritshme, si dhe përkrahjen e projekteve për gratë ndërmarrëse.
Ndërsa, Drejtori Ekzekutiv i MCC-së, z. Cairncross shprehu gatishmërinë e tij për bashkëpunim të mëtutjeshëm me Qeverinë e Kosovës në implementimin e projekteve prioritare, të cilat do ta ndihmojnë zhvillimin ekonomik të vendit dhe mundësojnë realizimin e granteve të MCC-së për shoqërinë civile në projektet e ndryshme.