Deputeti grek: Greqia vazhdon të jetë përkrahëse e të gjitha proceseve të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot deputetin grek, Andreas Patsis, i cili njëherit është edhe anëtar i Partive Popullore Evropiane (EPP).
Me këtë rast, kryeministri Hoti dhe deputeti Patsis biseduan për zhvillimet politike në vend, menaxhimin e luftës kundër pandemisë Covid-19, planin për rimëkëmbje ekonomike, procesin e dialogut final ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke, si dhe aspiratat e qarta të Kosovës për integrime në struktura euro-atlantike.
Po ashtu, kryeministri Hoti vlerësoi lart marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në fushën ekonomike.
“Roli mbështetës i Greqisë në rrugëtimin politik të vendit tonë, kryesisht në procesin e integrimit në struktura euro-atlantike, si dhe bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve tona është tepër i rëndësishëm”, ka theksuar kryeministri Hoti.
Deputeti grek, Andreas Patsis falënderoi kryeministrin Hoti për pritjen dhe theksoi se Greqia vazhdon të jetë përkrahëse e të gjitha proceseve të Kosovës, duke i mbështetur në mënyrë aktive aspiratat e popullit të Kosovës.