Kryeministri Hoti priti në takim lamtumirës ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në një takim lamtumirës ambasadorin e Gjermanisë në vendin tonë, Christian Heldt, të cilin e ka falënderuar për bashkëpunimin dhe angazhimin e tij gjatë mandatit në Kosovë.
Me këtë rast, Hoti ka vlerësuar rolin e veçantë të Gjermanisë në procesin e shtetndërtimit demokratik të Kosovës, raporton “Epoka e re”.
Hoti ka thënë se qytetarët dhe institucionet e Kosovës janë mirënjohës për ndihmën e përhershme që Gjermania i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat.
Gjatë takimit, Hoti e ka vlerësuar punën e Heldt në Kosovë, duke i uruar atij sukses në detyrat e tij të ardhshme.
Ndërsa ambasadori Heldt pasi e ka falënderuar kryeministrin Hoti për pritjen dhe bashkëpunimin, ka vlerësuar se marrëdhëniet e mira ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës do të thellohen edhe më tej në të mirë të dy popujve dhe vendeve tona mike.