Kryeministri Hoti: Sektori prodhues, prioritet i Qeverisë
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, ka vizituar sot, kompaninë “Eurolona”, në Miradi të Epërme të Komunës së Fushë Kosovës, ku nga pronari i kompanisë, z. Milazim Berisha është njoftuar për të arriturat dhe sfidat me të cilat janë përballur gjatë kohës së pandemisë.
Ai në të njëjtën kohë falënderoi Qeverinë për ndihmën e ofruar përmes subvencioneve.
Kryeministri Hoti tha se kompania ‘’Eurolona’’ është kompani model, derisa theksoi se gjatë vitit 2020 Qeveria ka bërë maksimumin për t’iu dal në ndihmë bizneseve në mënyrë që ta ruajnë numrin e punëtorëve.
“Prodhimi dhe përpunimi në këtë sektor për Qeverinë është prioritet. Kemi rishikuar masat e ndërmarra dhe kemi punuar intensivisht për t’ju dalë në ndihmë të gjithë fermerëve dhe prodhuesve përmes granteve dhe subvencioneve”, është shprehur kryeministri Hoti, duke shtuar se qeveria ka dyfishuar subvencionimin për sektorin e bujqësisë.
Kryeministri Hoti paralajmëroi rishikimin e skemës së granteve, duke premtuar mbështetje të vazhdueshme për rritjen e cilësisë në këtë sektor të prodhimtarisë.
Kryeministri Hoti tha se Qeveria do t’ju krijojë mundësi bizneseve për qasje më të lehtë në Fondin për Garanci Kreditore, që është mundësi e mirë për zhvillim të qëndrueshëm.
Në këtë ngjarje, kryeministri Hoti shoqërohej nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa.