Kryeministri Hoti thotë se veprimet e Gjykatës Speciale janë ligjore
26 shtator 2020
| 14:01
Kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar për zhvillimet e fundit, pas bastisjeve të EULEX-it në zyrat e OVLUÇK-së dhe arrestimit të kryetarit dhe nënkryetarit të kësaj organizate.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se veprimet e Dhomave të Specializuara burojnë nga detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre ligjore dhe kushtetuese, dhe duhet konsideruar si veprime të pavarura të drejtësisë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës beson se drejtësia është mbi të gjitha, dhe se duhet respektuar plotësisht. Po ashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës e njeh si të patjetërsueshëm qëllimin e pastër e të shenjtë të popullit të Kosovës në luftën për liri”, ka shkruar Hoti.
(Q.R / Epoka e re)