Kryeministri i ardhshëm britanik i drejtohet qytetarëve të Londrës
Kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, i është drejtuar turmave në qendër të Londrës pasi Partia Laburiste fitoi në zgjedhjet e përgjithshme të vendit.
Duke folur vetëm pak minuta pasi fitorja e Laburistëve u konfirmua, Starmer u tha turmave se “ndryshimi fillon tani”.
“Ju keni bërë fushatë për të, keni luftuar për të dhe tani ajo ka ardhur”, tha Starmer, i cili shtoi se me mandatin e ri të Laburistëve vjen edhe një “përgjegjësi më e madhe”.
Siç raportohet, Laburistët vazhdojnë të fitojnë më shumë vende në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, pasi rezultatet tregojnë se konservatorët janë në rrugën për të parë një nga rezultatet më të dobëta të zgjedhjeve ndonjëherë, me tetë ministra që humbasin pozitat e tyre, përcjell Telegrafi.
Gjithashtu, humbje të madhe pësoi edhe Partia Nacionaliste Skoceze, me liderin e partisë që tha se partia mund të mos mbajë as dhjetë vende.
Ndërkohë, partia e Nigel Farage ka fituar katër vende deri më tani, pasi i është bashkuar garës zgjedhore vetëm një muaj më parë.
Ndryshe, në Irlandën e Veriut, Sinn Fein, ish krahu politik i Ushtrisë Republikane Irlandeze, duket se do të ketë më së shumti vende nga Irlanda e Veriut në Westminster për herë të parë.